Protesta masive në Francë! “Jelekët e Verdhë” bashkohen me studentët, 166 të arrestuar! Lumë kritikash për Macron pasi u shfaq në koncertin e Celine Dion
Franca është përfshirë nga protesta dhe përplasje me policinë, ndërsa studentët, sindikalistët dhe lëvizja “Jelekët e Verdhë” janë bashkuar në demonstrata kundër kushteve të këqija në shkolla, rritjes së çmimeve dhe përkeqësimit të standardeve të jetesës.
Sipas të dhënave të autoriteteve, deri në orën 11:00 të së shtunës, 166 persona ishin arrestuar në të gjithë vendin, prej të cilëve 61 vetëm në Paris. Protestuesit kanë bllokuar rrugë, kanë ngritur barrikada dhe janë përplasur me forcat e rendit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës në disa qytete, përfshirë Marsejën dhe Lionin.
Protestat kanë shkaktuar ndërprerje të qarkullimit dhe mbylljen e disa stacioneve të metrosë në Paris. Bizneset kanë vendosur mbrojtëse në vitrinat dhe hyrjet e tyre, nga frika e përshkallëzimit të dhunës.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron është kritikuar për pjesëmarrjen në koncertin e Celine Dion të premten në mbrëmje, ku u filmua duke shijuar muzikën së bashku me bashkëshorten e tij, Brigitte, ndërsa vendi përgatitej për një ditë tjetër protestash.
Autoritetet kishin paralajmëruar për pjesëmarrje të gjerë, me rreth 200 mijë demonstrues të pritshëm në të gjithë Francën, përfshirë 40 mijë në Paris.
Lëvizja protestuese nisi muajin e kaluar në shkollat e mesme të periferive më të varfra të kryeqytetit, për shkak të mungesës së mësuesve dhe kushteve të dobëta të godinave shkollore. Pakënaqësia u zgjerua më pas në nivel kombëtar, duke përfshirë kërkesat kundër pabarazisë, shpenzimeve të pamjaftueshme publike dhe rritjes së kostos së jetesës. Qeveria ka shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, ndërsa kryeministri Sébastien Lecornu i ka cilësuar protestat e fundit si ndër më të dhunshmet në dekada. Sipas tij, më shumë se 900 efektivë policie janë plagosur deri më tani.
Nga ana tjetër, policia është përballur me kritika për përdorimin e forcës. Sipas raportimeve, disa të rinj kanë pësuar dëmtime të rënda gjatë protestave, ndërsa shërbimi i auditimit të brendshëm të policisë po heton të paktën 24 raste të dyshuara të dhunës policore.
Rikthimi i “Jelekëve të Verdhë” në protestat e reja ka shtuar shqetësimet për përmasat që mund të marrë lëvizja. E nisur në vitin 2018 kundër taksave të karburantit, ajo u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër kostos së jetesës dhe pabarazisë ekonomike. Protestat zhvillohen në një moment të vështirë politik dhe ekonomik për Francën, ndërsa qeveria përballet me pakënaqësi sociale, presion mbi financat publike dhe një klimë të polarizuar politike.
Po ndodh...
ide
Rinia e burgosur mes PS dhe PD, po shpërthen!
Flamingot në 137 ditë u kthyen në shqiponja
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
