Spiunazh për llogari të huaj? Ish-piloti kroat akuzohet se nxori informacione sekrete për KFOR-in dhe ia përcolli partneres serbe

22 August 2026, 16:07 / KOSOVA ALFA PRESS
Spiunazh për llogari të huaj? Ish-piloti kroat akuzohet se nxori

Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj një ish-piloti ushtarak të Forcave Ajrore të Kroacisë dhe partneres së tij, një shtetase serbe nga Kosova.

Të dy ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar nën dyshimin për spiunazh, ndërsa me ngritjen e aktakuzës hetimet ndaj tyre kanë përfunduar dhe çështja kalon në fazën tjetër të procedurës penale.

Sipas Prokurorisë kroate, piloti J.I., gjatë kohës sa shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, dyshohet se nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022 i ka dhënë vazhdimisht partneres së tij, A.M., informacione të klasifikuara që i kishte siguruar ose në të cilat kishte qasje për shkak të detyrës.

Prokuroria pretendon se ai ishte në dijeni se partnerja po i mblidhte informacionet për një shtet të huaj. Ajo akuzohet se më pas të dhënat e siguruara ua ka përcjellë disa adresave jashtë Kroacisë.

Një pjesë e rëndësishme e dyshimeve lidhet me Kosovën dhe periudhën kur piloti kroat kishte shërbyer në kuadër të KFOR-it.

Ai dyshohet se partneres së tij i kishte dhënë informacione për lëvizjet e trupave të KFOR-it, situatën e sigurisë dhe zhvillimet në veri të Kosovës. Sipas raportimeve të mediave kroate, këto informacione më pas dyshohet se i janë përcjellë Listës Serbe.

Në mesin e të dhënave të zbuluara dyshohet se kishte edhe informacione për lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës nga fundi i vitit 2022, periudhë e karakterizuar nga tensione të shtuara në atë pjesë të vendit.

Prokuroria në Split i ka kërkuar Gjykatës vazhdimin e masave ndaj të akuzuarës për shkak të rrezikut të arratisjes.

Ish-piloti, ndërkaq, ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit të kaluar, me masa paraprake dhe ndalim kontakti me njërin prej dëshmitarëve. Pas nisjes së rastit ndaj tij, ai ishte larguar edhe nga shërbimi ushtarak.

Po ndodh...