Si do përfitojnë kredi të butë punonjësit e administratës?/ 100 pikë që duhet të përmbushin nga kushtet e strehimit, ekonomike e familjare

20 Mars 2025, 14:58 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Si do përfitojnë kredi të butë punonjësit e

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit prej 10 ditësh ka hapur thirrjen për të aplikuar për kredi të butë me 0% interes për blerjen e një banese për 530 punonjësit e administratës publike. Ndërkohë, financimi do të kryhet sipas çmimit të referencës dhe sipërfaqja do të përcaktohet sipas certifikatës familjare. Me kredi të butë, do të përfitojnë punonjësit e 12 institucioneve shtetërore.

Por cilat janë kuotat për secilin institucion?

Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit do të kenë numrin më të lartë të kuotave, nga ku kanë përkatësisht nga 90 kuota. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrjotjes Sociale do të ketë 80 kuota. Ndërkohë nga 30 kuota do të ketë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ministria e Financave , Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Kryeministria.

Por cilat janë kriteret që duhen plotësuar?

Referuar udhëzimit, si fillim një punonjës që të përfitojë kredi me 0% interes, duhet të jetë i punësuar në administratën publ;ike, sipas ligjit “Për strehimin social”. Të mos keni një banesë në pronësi ose në proces legalizimi, ose të keni një banesë nën normat e strehimit. Të mos zotëroni pasuri të paluajtshme apo të luajtshme mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blihet me kredi të lehtësuar si dhe të mos jenë përfitues nga programe të tjera të strehimit social.

Por përpos kritereve, një punonjës i administratës shtetërore për të përfituar kredi të butë, duhet të përmbushë kriterin e pikëzimit i cili është 100 pikë. Si fillim do t’i duhet të përmbushë 50 pikë me kushtet e strehimit, 25 pikë me kushtet familjare dhe 25 pikë me kushtet ekonomike. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit. Thirrja për aplikim do të jetë e hapur për 30 ditë që nga dita e nisjes së thirrjes./SCAN

 

Po ndodh...