Situata e zjarreve, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin: 5 vatra ende aktive, zjarrfikësit në terren

25 August 2026, 15:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se këtë të martë deri në orën 14:00, janë raportuar 11 vatra zjarri. Bëhet me dije 5 vatra zjarri mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje, ndërsa është shuar një vatër.

Në terren, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, janë angazhuar në total 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 20 efektivë dhe 1 helikopter.

5 vatrat aktive në vendin tonë janë:

Mali i Dajtit, Tiranë – vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, me 40 forca zjarrfikëse, 7 forca të ADZM dhe 20 efektivë të FA, të mbështetur nga 1 helikopter i FA-së. Vatrat vijojnë aktive, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ballenjë, Dibër – zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, me 5 forca të ADZM Dibër të angazhuara. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qafë e Helmës, Bulqizë – vatra vijon aktive dhe po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë. Nuk paraqitet rrezik për banesat.

Mali i Dardhës, Librazhd – vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 ha. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd dhe nuk rrezikohen banesa.

Valikardhë, Bulqizë – operacioni vijon me 1 automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë. Po punohet për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.

Po ashtu në njoftim theksohet se situata paraqitet e menaxhueshme, ndërsa zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë vetëm nën monitorim.

Po ndodh...