Berlini shtyn BE drejt zgjerimit/ MERZ: BE të mbajë premtimin ndaj vendebe që kanë përmbushur kriteret

29 July 2026, 16:04 / BOTA ALFA PRESS

Berlini shtyn BE drejt zgjerimit/ MERZ: BE të mbajë premtimin ndaj

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, i ka kërkuar liderëve të BE-së të mbajnë fjalën për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga një vizitë në Irlandë, shteti anëtar që udhëheq këtë 6-mujor Presidencën e BE-së, Merz kërkoi që të mos vonohet anëtarësimi i Malit të Zi.

“Sa i përket zgjerimit të BE-së, ne patëm një takim shumë të mirë të Komunitetit Politik Europian në Mal të Zi. Mali i Zi është gati për t’u anëtarësuar në BE, ata kanë përmbushur çdo detyrim. Ndërkohë, ne s’kemi anëtarësuar asnjë vend të ri në BE prej 13 vitesh. E kemi thënë që BE-ja është e hapur për vende europiane që plotësojnë kushtet dhe kriteret e Kopenhagenit. Mali i Zi po e bën këtë. BE-ja gjithashtu duhet të mbajë fjalën. S’mund ta mbajë vendin në pritje vetëm se vende të tjera s’janë gati ende”, tha Friedrich Merz.

Ndërsa Mali i Zi ka objektiv anëtarësimin në vitin 2028, Kroacia ka vendosur së fundmi veton për një prej kapitujve, duke bllokuar mbylljen e negociatave.

Kancelari Merz paralajmëroi se do të flasë me gjithë liderët europianë në vjeshtë për t’i bindur që të shtyjnë para zgjerimin e BE-së mbi propozimet e përbashkëta për integrim gradual me Presidentin francez, Emanuel Macron.

“Do ta diskutojmë këtë me BE-në, në Këshillin e BE-së. Po, kërkon unanimitet, por kam bindjen se do t’i bind kolegët të shtyjmë para këtë proces. Kjo është arsyeja pse kolegu im Macron dhe unë kemi bërë propozime konkrete dhe diskutimi do të shtrihet mbi këto propozime”, shtoi Merz.

Kryeministri i Irlandës, Michael Martin, garantoi se gjatë Presidencës së BE-së do të punojë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, për të arritur objektivin e anëtarësimit.

“Bie plotësisht dakord me çfarë tha kancelari për zgjerimin e BE-së. Specifikisht për Malin e Zi. Synojmë që gjatë presidencës irlandeze Mali i Zi të mund të mbyllë të gjithë kapitujt, ndërsa patëm dhe një javë të shkëlqyer në korrik për zgjerimin e BE-së. Besojmë se ajo që po arrijmë me Malin e Zi të jetë një mesazh i qartë edhe për këdo tjetër që do të bëhet pjesë e BE-së. Nëse Mali i Zi plotëson kushtet dhe bëhet pjesë e BE-së, është shembull që një vend tjetër mund të ndjekë. Ne do të punojmë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Michael Martin.

Po ndodh...

ide