Fati i ndan motrat trinjake në mënyrën më tragjike/ 23-vjeçarja shpëton nga rrënojat, por dy motrat dhe prindërit humbin jetën
Një ngjarje tejet tragjike ka ndodhur në Kolumbi pas tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.4, i cili ka lënë pas një bilanc të rëndë viktimash dhe dëme të mëdha materiale.
Në qytetin e Cali-t, i cili është goditur rëndë nga fatkeqësia natyrore, 23-vjeçarja Ana María Saavedra është shndërruar në simbol të një mrekullie të rrallë, pasi është e vetmja e mbijetuar nga familja e saj, duke u nxjerrë e gjallë nga rrënojat e shtëpisë së saj katërkatëshe.
Ajo i detyrohet jetës një tryeze të fortë prej druri, nën të cilën ishte fshehur në momentin kur ndërtesa u shemb plotësisht.
Tragjikisht, fati i pjesëtarëve të tjerë të familjes së saj ka qenë fatal. Prindërit e saj, Jairo Hernán Saavedra, 63 vjeç, dhe Victoria Caicedo, 61 vjeç, u gjetën të pajetë, të përqafuar me njëri-tjetrin nën rrënoja.

Ndërkohë, motra e saj, Sofía, humbi jetën pasi mbeti e bllokuar nën një shkallë të shembur. Trupi i motrës tjetër trinjak, Isabella, u zbulua nga ekipet e shpëtimit gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme.
Në të njëjtin objekt humbi jetën edhe xhaxhai i familjes, duke bërë që Ana María të jetë e vetmja anëtare e familjes që ka shpëtuar e gjallë nga ndërtesa.
Kushëriri i saj, Carlos Augusto Saavedra, ka rrëfyer momentet e shpëtimit të Ana Marías. Sipas tij, fqinjët dëgjuan thirrjet e saj për ndihmë dhe nxituan menjëherë drejt rrënojave, duke arritur ta nxirrnin të gjallë dhe ta dërgonin në një klinikë.
23-vjeçarja ka pësuar një frakturë në legen dhe dëmtime të shumta në krahë, ndaj mjekët kanë vlerësuar se ajo ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Megjithatë, mjekët janë shpresëplotë për gjendjen e saj dhe presin që ajo të mund të ecë sërish brenda pak javësh.
Të afërmit kanë konfirmuar se Ana María është e vetëdijshme dhe komunikon qartë.
Tragjedia ka tronditur thellësisht komunitetin, ku tri motrat trinjakë njiheshin për lidhjen e tyre të fortë dhe karakterin e tyre gazmor. Ato kishin studiuar së bashku për marketing, kishin kaluar një semestër universitar në Francë dhe punonin krah për krah.
Tri motrat kishin pasion muzikën dhe udhëtimet, ndërsa shpesh organizonin takime me miqtë. Edhe prindërit e tyre ishin të njohur në zonë për natyrën e tyre festive dhe pasionin për muzikën salsa. Sipas shifrave zyrtare të autoriteteve, bilanci i tërmetit shkatërrues ka arritur në mbi 281 viktima, kryesisht në qytetet Cali dhe Pereira. Rreth 4 mijë persona janë plagosur, ndërsa rreth 379 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Ndërsa ka kaluar tashmë afati kritik i 72 orëve të para, shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja po zbehen, megjithëse ekipet e kërkim-shpëtimit dhe vullnetarët vijojnë punën në terren. Situata mbetet e tensionuar edhe për shkak të pasgoditjeve të vazhdueshme. Më shumë se 160 lëkundje me magnituda të ndryshme janë regjistruar në vend pas tërmetit kryesor, duke mbajtur në ankth banorët e zonave të prekura.
Po ndodh...
ide
Signs of an Invisible Change: The Cracks That Are Transforming Albania
Guximi është frika që zgjat një minutë më shumë
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128