Ku po shkojnë paratë? 894 milionë lekë më shumë borxhe në vetëm 3 muaj

Detyrimet e prapambetura të institucioneve publike vijuan të rriten edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, në një kohë kur financat publike po regjistrojnë një performancë shumë të fortë. Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të qershorit 2026 stoku total i detyrimeve të prapambetura arriti në 7.83 miliardë lekë, nga 6.93 miliardë lekë në fund të marsit, duke u zgjeruar me rreth 894 milionë lekë, ose 12.9% brenda vetëm tre muajve.
Zhvillimi bie në sy për faktin se vjen në një periudhë kur buxheti i shtetit ka regjistruar një suficit të konsiderueshëm në gjysmën e parë të vitit, falë të ardhurave më të larta se planifikimi dhe ritmit më të ulët të shpenzimeve. Megjithatë, kjo nuk është reflektuar në uljen e faturave të papaguara ndaj bizneseve dhe kreditorëve, përkundrazi, stoku i detyrimeve është rritur.
Pesha kryesore e rritjes vjen nga qeverisja qendrore, ku detyrimet u zgjeruan nga 1.86 miliardë lekë në 3.31 miliardë lekë, një rritje me afro 1.45 miliardë lekë. Brenda kësaj kategorie, rritjen më të madhe e kanë shënuar detyrimet e klasifikuara si “të tjera”, të cilat u rritën nga 260 milionë lekë në mbi 1.55 miliardë lekë, ndërsa u rritën ndjeshëm edhe detyrimet për mirëmbajtje. Në të kundërt, detyrimet për investime shënuan një ulje të lehtë.
Ndërkohë, në qeverisjen vendore stoku total i detyrimeve ka mbetur pothuajse në të njëjtat nivele, duke zbritur lehtë nga 3.15 miliardë lekë në 3.11 miliardë lekë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se situata është përmirësuar në të gjitha bashkitë, pasi një pjesë e tyre vijojnë të mbajnë nivele shumë të larta të faturave të papaguara.
Sipas raportit të Ministrisë së Financave, Bashkia Kavajë renditet me diferencë si njësia vendore me stokun më të lartë të detyrimeve të prapambetura, me 719.3 milionë lekë. Pas saj vjen Bashkia Tiranë, me 282.2 milionë lekë, ndërsa në vendin e tretë renditet Bashkia Pogradec, me 227.3 milionë lekë.
Lista vijon me Bashkinë Dimal me 144.1 milionë lekë, Bashkinë Cërrik me 141.6 milionë lekë, Bashkinë Vorë me 139.1 milionë lekë, Bashkinë Rrogozhinë me 124.2 milionë lekë, Bashkinë Divjakë me 108 milionë lekë, Bashkinë Dibër me 102.1 milionë lekë dhe Bashkinë Krujë me 98.8 milionë lekë.
Rritja e detyrimeve të prapambetura në kushtet e një suficiti të lartë buxhetor ngre pikëpyetje mbi mënyrën e ekzekutimit të shpenzimeve publike dhe disiplinën e pagesave ndaj kontraktorëve. Në vend që teprica e të ardhurave të shfrytëzohej për të ulur stokun e faturave të papaguara, institucionet kanë vijuar të akumulojnë detyrime, duke shtyrë pagesat për mallra, shërbime, investime dhe kategori të tjera shpenzimesh./ekofin.al
Po ndodh...
Rama's government no longer has enough Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128