Vrau gruan një ditë para divorcit, detaje nga krimi i rëndë i shqiptarit në Greqi

27 August 2026, 11:56 / AKTUALITET ALFA PRESS

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 44-vjeçares shqiptare Esma Meço në Greqi, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj, 53-vjeçari Bujar Muço.

Sipas mediave greke, viktima kishte përjetuar prej vitesh dhunë në familje dhe kishte vendosur t’i jepte fund martesës. Ajo kishte caktuar një takim me avokatin e saj për të nisur procedurat e divorcit, por nuk arriti të shkonte, pasi u vra një ditë para takimit.

Ngjarja ndodhi dje në fshatin Dialambi dhe sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, 53-vjeçari e goditi me thikë bashkëshorten brenda banesës, ndërsa aty ndodheshin edhe dy fëmijët e çiftit, vajza 16-vjeçare dhe djali 19-vjeçar.

Vajza dyshohet se ka parë momentet e fundit të nënës së saj, ndërsa djali e ka transportuar atë drejt spitalit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 44-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.

Sipas dëshmive të banorëve të zonës, Esma Meço përshkruhej si një grua punëtore dhe e përkushtuar ndaj familjes. Gjatë verës ajo punonte sezonalisht në ishujt grekë dhe këtë vit kishte punuar në Thassos, përpara se të kthehej për të festuar ditëlindjen e vajzës së saj.

Mediat greke raportojnë se motivi i konflikteve të vazhdueshme mes çiftit lidhej dyshohet se me xhelozinë e 53-vjeçarit. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vendimi i gruas për t’u divorcuar të ketë nxitur edhe më tej situatën.

Rasti i dhunës nuk ishte i panjohur për autoritetet. Në vitin 2022, kur çifti ndodhej në Kretë, 44-vjeçarja kishte denoncuar bashkëshortin për dhunë në familje. Ai ishte arrestuar, por më pas ishte lënë i lirë.

Pas krimit, Muço dyshohet se tentoi të vetëvritej, duke u vetëplagosur dhe duke konsumuar një sasi të një lëngu të paidentifikuar. Ai ndodhet në spital dhe raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas mediave greke, ndaj tij janë ngritur akuza për vrasje, dhunë në familje dhe shkelje të legjislacionit për armët.

 

Po ndodh...