Ambasada amerikane në Tiranë pajis me vizë Sali Berishën, pritet që nesër të shkojë të tërheqë pashaportën

2026-08-31 17:40:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pajisur me vizën amerikane duke i hapur kështu rrugën udhëtimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Burime për mediat  bëjnë me dije se ish-kryeministri Berisha pritet që ditën e nesërme të shkojë pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës me qëllim për të tërhequr vizën e tij.

Ky lajm vjen vetëm pak orë pasi vetë lideri i së djathtës shqiptare deklaroi se ende nuk kishte marrë një njoftim nga ambasada sa i përket vizës së tij.

Lidhur me këtë lajm ka reaguar edhe deputeti demokrat, Belind Këlliçi, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar: “Bac u kry”, të shoqëruar me flamurin e Amerikës.

Ambasada amerikane në Tiranë pajis me vizë Sali Berishën,

Siç dhe njoftuam më herët Berisha pritet të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ditët e para të shtatorit. Udhëtimi lidhet me pjesëmarrjen e tij në një aktivitet të Partisë Republikane amerikane, që do të zhvillohet në Dallas më 9 dhe 10 shtator.

Kujtojmë se më 12 qershor të këtij viti, me shpejtësi në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se ndaj Sali Berishës ishte hequr statusi “non grata”.

Sipas informacioneve të bëra publike në atë kohë, kishte qenë e deleguara e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Nancy VanHorn, ajo që kishte kontaktuar personalisht Berishën për ta njoftuar mbi vendimin e marrë nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Mirëpo, kjo vizitë e Berishës vjen pas një lehtësimi që shteti amerikan i dha atij me qëllim që të marrë pjesë në këtë eveniment, dhe nuk ka lidhje me “non gratën” e vendosur ndaj tij.

Ish-kryeministri Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në maj të vitit 2021. Në argumentimin e saj, administrata amerikane e asaj kohe deklaroi se Berisha ishte përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë, duke përmendur keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në procese publike për përfitime personale dhe politike.

Vendimi përfshinte gjithashtu familjen e tij dhe ndalonte hyrjen e tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Berisha e kundërshtoi menjëherë vendimin, duke e cilësuar atë si të motivuar politikisht dhe duke akuzuar kundërshtarët e tij në Tiranë për ndikim në këtë proces. Ai hodhi akuza edhe ndaj zyrtarëve të lartë amerikanë, duke pretenduar se vendimi ishte rezultat i lobimeve politike kundër tij.

Shpallja “non grata” solli pasoja të forta në jetën politike të Partisë Demokratike. Në shtator të vitit 2021, kryetari i atëhershëm i PD-së, Lulzim Basha, vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Ky vendim u pasua nga një përplasje e ashpër politike brenda partisë, e cila kulmoi me lëvizjen e Rithemelimit, mbajtjen e Kuvendit Kombëtar dhe rikthimin e Berishës në krye të Partisë Demokratike në vitin 2022.

Në vitin 2023, Berisha u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, një vendim që ai e konsideroi politik. Pas më shumë se një viti, ai u lirua në fund të vitit 2024 dhe iu rikthye aktivitetit të plotë politik.

Po ndodh...