Himara një ditë pas flakëve/ 6 banesa të djegura, banori shpërthen në lot gjatë intervistës

5 September 2026, 09:36 / AKTUALITET ALFA PRESS
Himara një ditë pas flakëve/  6 banesa të djegura, banori

Një ditë pasi Himara u përfshi nga flakët, pasojat e zjarrit janë ende të dukshme. Gjashtë banesa janë djegur, ndërsa zjarri vijon edhe ditën e sotme, por tashmë nën kontroll.

Banorët e zonës tregojnë momentet e frikshme kur flakët iu afruan banesave dhe u detyruan të largoheshin. Një prej tyre rrëfen se zjarri zbriti nga lart drejt shtëpive, ndërsa policia ndërhyri për evakuimin e banorëve.

Qytetarja: Zjarri erdhi nga lart dhe, pak nga pak, zbriti poshtë te ne. Erdhi policia, na nxorën të gjithëve. U dogj edhe shtëpia e një kushëriri të burrit tim.

Banorja tregon se banesat janë të banuara dhe se dëmet brenda tyre janë të mëdha.

Qytetarja: Zjarri është futur brenda, ka marrë çdo gjë… është shkatërruar fare, fare, fare.

Por momenti më emocional vjen gjatë intervistës me një tjetër banor. I pyetur për situatën, ai nuk i fsheh emocionet teksa kthehet nga zona e përfshirë nga zjarri.

Gazetarja: Si është situata?

Qytetari: Tmerr!

Kur gazetarja e pyet nëse janë rrethuar nga flakët, banori kthehet dhe tregon me dorë drejt terrenit të djegur. I prekur emocionalisht nga ajo që sheh, ai e ka të vështirë të flasë, ndërsa kamera vijon të fokusohet te zona e shkrumbuar.

Pamjet tregojnë edhe zgjojet e bletëve të djegura dhe të dëmtuara nga flakët, duke dëshmuar pasojat që zjarri ka lënë pas.

Ndërkohë, ekipet në terren vijojnë punën për izolimin e vatrave të mbetura, ndërsa situata e zjarrit në Himarë është më e kontrolluar se një ditë më parë.

Po ndodh...

ide