Marifeti i "11 majit"/ Sa vota i duhen një kandidati të thyejë listën e mbyllur? Qytetarët do të mund të zgjedhin vetëm 1/3 e Kuvendit të ri

19 Mars 2025, 23:47 / POLITIKË ALFA PRESS

Marifeti i "11 majit"/ Sa vota i duhen një kandidati të

Kodi Zgjedhor përcakton që një parti të futet në parlament, duhet së paku të marrë një prag prej 1% të votës kombëtare.

Sipas reformës të dakordësuar gjatë verës së 2024-ës mes pozitës dhe opozitës, për herë të parë në këto zgjedhje do të aplikohet formula me dy kategori.

Lista e mbyllur ku emrat janë fiksuar nga kryetarët e partisë ku votuesi nuk ka mundësi të ndikojë në të, dhe lista e hapur ku kandidatët fitues përcaktohen nga vota e qytetarëve.

Kodi i ri Zgjedhor i detyron partitë dhe koalicionet që të fiksojnë në të gjitha qarqet një total prej 46 emrash ose 1/3 e kandidatëve, në listat e mbyllura.

Për të siguruar një vend nevojiten një mesatare prej 10 mijë votash. Por, ajo ndryshon nga qarku në qark. Kjo do të thotë se ato e kanë të sigurtë fitoren, kur bëhet fjalë për partitë e mëdha, pasi një subjekt i vogël, nëse siguron votat në bazë qarku për mandate, duhet të kalojë edhe pragun kombëtar prej 1 %.

Gara e vërtetë do të zhvillohet mes emrave që janë në listën e hapur, ose siç konsiderohet ndryshe lista jo e sigurtë.

Në këtë listë janë renditur mjaft personazhe politike kyçe. Ndryshimet e kodit zgjedhor u japin mundësinë të ngjiten në vendet e sigurta. Kjo ndodh nëse ata arrijnë të marrin 10 mijë plus 1 votë.

Tirana është qarku me më shumë deputetë, ndaj lufta më e madhe bëhet pikërisht për të fituar kryeqytetin.

Në total Tirana do të prodhojë 37 mandate, nga të cilët 12 janë të fiksuar, me kushtin që partia politike për të cilën ato garojnë fiton votat për t'i çuar në kuvend.

Deputetët e tjerë që ndodhen në listën e hapur duhet të luftojnë për votën personale, jo vetëm me kandidatët e partive të tjera, por edhe vetë brenda partisë. Kandidati që do të rezultojë me votat më të larta, mund të ngjitet sipër vijës së kuqe dhe të shkojë në parlament, duke skualifikuar kandidatin që ishte renditur i fundit i listës së mbyllur.

Deputetët e listës së mbyllur mund të konsiderohen edhe deputetë të emëruar dhe jo të zgjedhur. Sipas formulës që aplikohet këtë vit, 92 prej tyre janë përcaktuar që në momentin që listat janë depozituar në KQZ. Ditën e zgjedhjeve, qytetarët do të votojnë për 48 të tjerë që aspirojnë karrigen e deputetit.

Për ta ilustruar le të marrin sërish si shembull qarkun e Tiranës. Në këtë qark, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Partia socialiste fitoi 18 mandate dhe partia demokratike 15 mandate, 2 LSI dhe 1 PSD.

Supozojmë se edhe këtë vit do të ruhet ky rezultat. Që do të thotë se 12 kandidatët e listës së mbyllur të partisë Socialiste dhe 12 kandidatët e Partisë demokratike nuk i zgjedh votuesi, pasi ata tashmë bëjnë pjesë në listën e privilegjuar.

Pra 2/3 e deputetëve që do të shkojnë në parlament janë nga lista të sigurta, dhe qytetarët me votën e tyre do të mund të zgjedhin vetëm 1/3.

Formula është kundërshtuar nga partitë e vogla, që në këto zgjedhje kanë përdorur një hile për t'i shpëtuar penalizimeve.

Koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet”, në pamundësi për të shmangur detyrimin e KQZ për vendosjen e 46 emrave në listat e mbyllura, kanë vendosur si kandidatë fiktivë familjarët e tyre, me strategjinë e dorëheqjes më pas.

Në fakt, hulumtimi mbi listat zbulon se partitë e vogla, masivisht kanë futur emra fiktivë në lista. Disa prej tyre, me gjasë nuk ia ka idenë se janë kandidatë.

‘Partitë e vogla janë detyruar që në lista të mbyllura të fusin emra familjarësh, apo të afërm të tyre, me idenë që pas zgjedhjeve ata të tërhiqen.

Në këtë formë do të respektojnë dëshirën e tyre për lista të hapura, apo dhe ata që i kanë mbështetur’ u shpreh Agim Baci, gazetar

Renditja e listës së hartuar nga kryetari i partisë, mund të prishet vetëm nëse një kandidat i listës së hapur merr më shumë vota parapëlqyese se sa mesatarja që ka marrë partia për të fituar një mandat deputeti në atë qark./Inside story

 

Po ndodh...